Skip to main content

Gaspër Pali - Biografia

                                

Jeta e Gaspër Palit nuk qe thjesht një ekzistencë, por në radhë të parë një esencë. U lind në Shkodër, në një shtëpi dy katesh të lagjes Serreq, me 14 gusht 1916, kur në të gjitha pemët ndihej muzika e gjinkallave. Kur foshnja bënte rrugën e parë nga materniteti, nëpër kalldrëme trokiste djegaguri . . .

Nëna, Luçia – shtëpiake, ishte bijë e familjes Daberdaku. Babai Kola – çikërrimtar në rrënim e sipër, punonte në pazarin e Shkodrës. Bashkëshortët nxorrën në dritë plot 11 fëmijë, të fundmin Gasprin. Emri qe i përsëritur, mbasi vëllai i madh, që vdiq rreth të njëzetave quhej po ashtu.

I lindur më tepër në një komunitet, se sa në një familje, Gaspri u rrit me ndjenjën e respektit ndaj të tjerëve dhe me atë të përkujdesjes së të tjerëve ndaj tij.

Babai qytetar, ndonëse kishte për të ushqyer një ekip fëmijësh, u dha që të gjithëve arsim në vend e dy prej tyre (Zefit dhe Gasprit) edhe dije të thella në shkollimin e lartë jashtë shtetit.
Gaspri kreu shkëlqyeshëm filloren e pesë klasat e gjimnazit françeskan në qytetin e lindjes. Aty u dashurua pas muzikës, lëndë që e jepte At Martin Gjoka, ngritës i orkestrës frymore "Illyricum", ku Gaspri qe instrumentist flauti e më pas i trombës sibemol. Repertori i zgjedhur i partiturave: "Tango të famshme – Kumparsita – Plegaria – Xhelozia", që ruhet në shtëpinë e mbesës, Luçi Pali (Shantoja), dëshmon se ai e ka njohur mirë muzikën në përgjithësi e thellësisht atë që ekzekutonte me pasion. Shokë shkolle e pjesëtarë orkestre me Gasprin qenë muzikantët e talentuar Prenkë Jakova, Tonin Harapi, Simon Gjoni, Çesk Zadeja, si dhe dramaturgu Kolë Jakova, i cili kujton:
"Në vitin 1929, Martin Gjoka riorganizoi bandën e vjetër "Illyricum" dhe aty mora pjesë edhe unë (me klarinetë)".1
Tek ajo bandë Gaspri u mbrujt me kulturën e traditën e muzikës popullore dhe u njoh me disa pjesë të kompozitorëve të huaj. Me Prenkë Jakovën, në shtëpinë e tij, nëpërmjet disqeve të gramafonit apo të një radioje të vjetër, dëgjon muzikën e Shubertit, Puçinit, Hajdenit, Mozartit.

Në bankat e liceut françeskan ku drejtorë qenë Gjergj Fishta e Frano Kiri dhe mësues Anton Harapi, Bernardin Palaj, Justin Rrota, Marin Sirdani, apo lulja e inteligjencies së kohës; Gaspër Pali çan shtegun e vet poetik, që pesëmbëdhjetë vjeç, me dy sonete në sistemin metrik të kodifikuar si dhe me një vjershë "Djepi i vorfën" – ndikim nga poezia popullore qytetare. Me 4 mars 1933 përmes një eseje 4 faqesh, 17 vjeçari paraqet formimin e tij filozofik, në një apologji idealiste model: "Mbi natyrë të Zotit".

Me 11 korrik të atij viti Gaspër Pali me 16 shokë të liceut "Illyricum" themeloi Shoqninë "Djelmnia Antonjane" e njohur për vlerat e saj kulturore, fetare e atdhetare. Nga regjistri i mbledhjeve të para na kanë mbërritur 2 vargje, shkruar pranë firmës së Gaspër Palit:

"Në mes të tjerëve pa zjarr mbete".
"Në shpia derdhet veç ankim".
Përmes tyre liceisti pasqyronte plagët që kishte vendi ynë në ato vite. 2
Përballë shtëpisë së familjes Pali banonte këngëtari i mirënjohur popullor Kolë Gurashi që i gjinikoi të riut pasionin për mbledhjen e folklorit dhe studimin e tij. Asaj rruge Gaspri nuk do t`i ndahej edhe kur të afirmohej si shkrimtar.

Me 23 prill 1933, përmes modifikimit të Statutit Themeltar të Shtetit, shkollat private u mbyllën. Gaspri kaloi në degën klasike të Gjimnazit të Shtetit Shkodër, ku mori dëftesën e pjekurisë në seksionin e pranverës të vitit shkollor 1934-1935. Bankat qenë skrivania e lirikave të tij prekëse e njëkohësisht vendi ku mori vlerësimet dhe vërejtjet e dy Filipëve: Filip Ndocajt, shokut të klasës dhe Filip Fishtës, profesorit kompetent të letërsisë.

Një vëlla tre vite më i madh se Gaspri, Zefi, që po specializohej për mjek në Vjenë, e frymëzonte të ndiqte studimet e larta. Por me se? Rioshi kërkoi bursë shtetërore, por nuk iu dha. Boshllëkun e vitit shkollor 1935-1936, që e kaloi si i papunë, e mbushi disi me debutimin me 15 shkurt 1936, në revistën "Rilindja" të Korçës. Poezia "Natë shtregullash" ishte shkruar në varg të ç’lirshëm, si ai i disa poetëve të spikatur të atyre viteve, të cilët po sillnin njëkohësisht një formë dhe një përmbajtje të re në letrat shqipe.

Ky botim i suksesshëm jashtë Shkodrës, që e shndërroi Gaspër Kolë Palin në një emër të ri arti në atdhe, e nxiti familjen të bënte një sforcim, të tejkalonte për një çast gjendjen e pamundur ekonomike dhe ta regjistronte poetin e ri, në tetorin e 1936-ës, në Fakultetin e Letërsisë të Firences në Itali.

Gaspri ndoqi studimet për katër vite rresht në të njëjtën degë me shkrimtarin e ardhshëm Filip Ndocaj, me të cilin e lidhte një miqësi e kahershme qysh nga "Illyricum"-i. Në Firence ai shoqërohej me mjaft studentë bashkatdhetarë, që ia hiqnin paksa mallin e vendlindjes. Megjithatë vitet e arta studenteske ai do t`i quante mërgim . . . Gaspër Pali shkoi në qytetin e Dantes si poliglot. Ai dinte me themel, që nga liceu françeskan, greqishten e vjetër, latinishten, italishten. Gjermanishten e mësoi si autodidakt me ndihmën e të vëllait, Zefit, që më 1935 mbaroi studimet në mjekësi në Grac të Austrisë. Librat në gjuhë të huaja, që ende sot ndodhen në bibliotekën e familjes Shantoja dëshmojnë edhe përmes ndonjë shënimi të vogël të Gasprit, për formimin filologjik dhe për preferencat e tij letrare.
Sa mbërrin në Firence, në tetor e dhjetor 1936 Gaspri vendos lidhje me revistën shkodrane "Cirka", tani me stofin e mbledhësit dhe argumentuesit të folklorit, duke përdorur pseudonimin Gimi. Në janar të 1937 do të botojë aty një novelë folkloristike, "Plaka jonë" ku do të shfaqet me profilin e prozatorit.

Me 1 gusht 1937, kur vdiq Ndre Mjeda, Gaspri ishte me pushime në Shkodër. Rregullat kërkonin që për një klerik të thjeshtë varrimi të bëhej pa ceremoni. Por Gaspri me shokët antonjanë kërkuan trupin e Poetit. Atëherë edhe kisha jezuite u vesh me të zeza. Mes blerimit të gjetheve, në një nga kurorat, Gaspri kishte shkruar: "Universitarët – Mësuesit të vet". Kështu poeti nderonte MJESHTRIN.

Më 1938 nga Italia vendos lidhje me kryeqytetin shqiptar duke botuar novelën "Prangat e arta" në gazetën "Java". Ndërsa më 1940 brenda Firences do të botojë një poezi shqip, në revistën "Numero unico degli universitari albanesi".

Tri ngjarje tronditëse do ta plagosnin zemrën e poetit lirik. E para, pushtimi i atdheut nga gjuhëfolësit e po atij vendi ku ai po kulturohej. E dyta, dashuria fundtrishtuar me një vajzë siciliane, studenten Kleyde, që papritmas sëmuret rëndë. E treta, ndarja përfundimtare nga trumba, kur zbuloi përmes tingullit që i dilte nga mushkëritë, shenjat e para të TBC-së. Ishin gjithsesi tepër për një 23 vjeçar hollak dhe sentimental, që fliste gjithnjë me gjysmëton muzikor.

Ja si shfaqet shkrimtari Gaspër Pali, në një kujtim të 1937-ës, të letrarit të ri të asaj kohe Kolë Ashta:
"Më flet mbi letërsinë e re shqiptare, sidomos mbi veprat e Koliqit, të cilat e shtyjnë Palin kah një drejtim i ri letrar . . . Një turmë shkrimtarësh endet në mendën e tij . . . me nji hov të fuqishëm flet mbi shkrimtarët italianë të shekullit tonë.

Pirandello, D`Annunzio, Deledda, Verga, Fogazzaro ia shndrisnin shpirtin . . . Steinbek, Dostojevski, Zweig, Neuman, Proust, Wilde, Buck, Hamsun e sa të tjerë përpihen prej shpirtit t`etshëm qi lypë freskim".3
Le ta shohim këtë poet elegant në vargje dhe në paraqitje edhe përmes dëshmisë gojore, dhënë në Romë me 08. 11. 1999, të zonjës Itale Koka, fiorentine:
"Gaspër Palin e kam pasur shok kursi. Ishte i gjatë, brun, me flokë të lëmuar e tepër të zinj, që i shndrisnin mbi syze. Një dridhje e lehtë duarsh i vihej re kur niste të shkruante. Serioz, plot edukatë, i njerëzishëm. E donte natyrën dhe i pëlqente të bënte shetitje. I pëlqente të shkruante poezi dhe nganjëherë na i lexonte mua dhe burrit tim, Mikelit, që ishte student shqiptar e njëkohësisht shok i ngushtë i Gasprit. Shpesh vizitonim të tre muzetë, veçanërisht Galleria degli Uffizi. Gaspri dashurohej me gjërat e bukura si p.sh. panorama e Firences e parë nga Piazzale Michelangelo, urat e bukura mbi lumin Arno, gjërat antike, kishat artistike të restauruara dhe gjithça në to. Binte në kontemplacion me qiellin. Kur i thoshim mbrëmjeve: A pe ndonjë yll tjetër?, nuk fyhej. Mik i mirë! Megjithatë në bisedat e tij kishte diçka të trishtë . . ."

Në fillim të viti shkollor 1940 – 1941 Dr. Gaspër Pali u emërua profesor i shqipes në Gjimnazin e Shtetit Shkodër, ku afërsisht dy vite shkollore punoi me aftësi e zell. Revistat më në zë të kohës kërkojnë të thithin firmën e poetit dhe penën e kritikut letrar Gaspër Pali. Kështu drejtuesi i revistës "Shkëndija" në Tiranë, shkrimtari Ernest Koliqi, në hapësirën e një viti (shtator 1941 – qershor 1942) i boton tri poezi dhe një ese. "Hylli i Dritës" , sapo Gaspri kthehet në Shkodër, në shtator 1940 i boton një studim të gjërë mbi letërsinë e huaj. "Cirka" në nëntor 1941 boton broshurën 31 faqesh "Cordignano në gjyq para botës", ku Gaspri është bashkautor me një grup profesorësh të Gjimnazit të Shtetit Shkodër. Broshura qe shembull i një polemike shkencore dhe pati një jehonë të fortë në mbarë Shqipërinë e më tej.

Por ky bum intelektual-artistik nuk vazhdoi gjatë. Në gjysmë të dhjetorit 1941 Gaspri u sëmur për të mos u çuar nga shtrati. Më tepër lexon në pesë gjuhë. Poezinë e fundit e shkruan në spitalin e Tiranës me 2 shkurt 1942. As kujdesi i të vëllait, Zefit, doktor ftiziatër-rentgenolog s`mundi t`ia zgjasë jetën, që iu ndërpre, po në verë, po në Shkodër, me 21 korrik 1942, kur në të gjitha pemët përhapej gumëzhima e mbytur e gjinkallave.

Shuarja e yllit të Gaspër Palit pikëlloi veçanërisht kolegët e penës, që mbetën me një frymëzues më pak. Letrave shqipe iu përsërit si një skemë a si një makth vdekja e poetëve në rini. Kështu me Kolë Mirditën (Helenaun), kështu me Millosh Gjergj Nikollën (Migjenin) , kështu me Veli Stafën(Platonicusin), kështu me Gaspër Palin (Gimin), kështu . . .

"Kishte ndrrue jetë nji puntuer i letrave shqipe . . . nji zemër që kishte vuejtë thellë jetën".4 Kështu do ta përcillte në banesën e fundit një nxënës i tij.

"Një shpresë e gjallë i fiket letërsisë sonë. Nji lavrues i ri i dhanun me gjithë shpirt mbas letrave shqipe".5 Kështu do ta kujtonte vetëm mbas tre muajve në Romë, studenti (më vonë Profesori) Kolë Ashta.

Ndërsa në Mars 1944, Agron Libhova do ta përgjithësonte: "Flamurtarët e kanë jetën e shkurtë. Tue luftue ata bijnë".6
Të bëjnë përshtypje këto tre vlerësime menjëherë pas vdekjes, që janë më tepër realiste se sa panegjerike; në një kohë kur Gaspër Pali gjatë periudhës së tij të shkurtër krijuese (1931-1942) botoi gjithsej 13 krijime, 8 në prozë dhe vetëm 5 në poezi. Për të arritur tek epiteti "flamurtar" ndikoi patjetër edhe botimi i 5 vjershave të tjera tek revista "Fryma", 1944, nga vëllimi "Bisedë me vetvedin", që Gaspër Palit i mbeti në dorë si projekt. Por e vërteta rreth portretizimit të saktë të Gaspër Palit nga bashkëkohësit në gjalljen e tij a fill pas vdekjes, bërë në shtyp a në biseda të lira, është e thjeshtë. Ata kishin lexuar e komentuar edhe dorëshkrimet poetike të Gaspër Palit, pra bisedën e tij me vetveten e me të tjerët dhe kësisoj njihnin mirë bërthamën e saj rrezatuese. Tipik është rasti i shkrimtarit Filip Ndocaj, të cilit Gaspër Pali ia besoi dorëshkrimet përfundimtare të veprës së tij.

Pas vitit 1944, në ndryshim nga të eskomunikuarit e mëdhenj: Fishta, Konica, Prennushi, Palaj, Shantoja, Harapi, Koliqi, Haxhiademi etj., Gaspër Pali, ashtu pesimist dhe sentimental, figuron në tekstet shkollore për shkollat e mesme, si p.sh. "Histori e letërsisë shqipe" e Prof. Dh. S. Shuteriqit, Tiranë, 1960. Emri i përmendej në formën e zvogëluar, G. Pali. Por as edhe një vjershë e G. Palit nuk përfshihej në antologjinë letrare. Edhe pas botimit të 19 poezive të tij më 1959 nga shkrimtarët Nasho Jorgaqi e Filip Ndocaj në vëllimin "Hyjt mbi greminë" (ku 5 poezi të tjera nuk e kaluan dot provën e zjarrtë të censurës), gjendja nuk ndryshoi shumë. Përmendej me kujdes në "Histori e letërsisë shqiptare", Tiranë, 1983; jepej ndonjë leksion për të në kuadrin e poetëve minorë, në Universitetin Shtetëror të Tiranës, por vazhdonte të mos kishte as edhe një përfaqësim në antologjitë shkollore. Gjithsesi duhet thënë se vepra e Gaspër Pali u qëndroi gjithfarë revolucionarizimeve dhe luftërave klasore, jo me peshën ideologjike të saj, por me finesën estetike.

Dalja e vëllimit të hollë poetik më 1959 dhe ajo e përmbledhjes "Bisedë me vetvedin" më 2000 qenë një shërbim i madh për njohjen më të plotë të poetit Gaspër Pali jo veç nga bashkëkohësit, të cilët kishin një vizion të qartë, por në radhë të parë për brezat e rinj; të lexuesve, të shkrimtarëve, të studiuesve.

Personalitete të njohura të kulturës si Kolë Ashta (1942), Qemal Draçini (1945;1995-botim postum), Mark Gurakuqi (1966), Rinush Idrizi (1972), Gjergj Zheji (1988), Robert Elsie (1995), Robert Shvarc (1997), Perikli Jorgoni (2000) do t`i kushtojnë një vëmendje të posaçme Gaspër Palit në librat, studimet, artikujt apo intervistat, duke arritur majën në vlerësimin e argumentuar të Nasho Jorgaqit (2000): "Pionier i poezisë moderne shqiptare".7

Nëse jeta e poetit u mbyll brenda gjysmës së parë të shekullit të njëzetë, vepra e tij mbetet e hapur në shtrirjen e mijëvjeçarit të tretë.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more